Je përfolur shumë për jetën private. Mendon se kjo e dëmton karrierën tënde apo e favorizon?
S’më pëlqen që jeta ime private të jetë e përfolur aq shumë sa të më pengojë. Në fillimet e mia është trilluar shumë mbi mundësinë e lidhjeve të mia, të cilat kanë rezultuar të jenë thashetheme të pakonfirmuara nga unë. Unë jam njeriu më i hapur, pranoj të komunikoj çdo gjë me publikun tim, mbi çdo gjë që vlen për t’u treguar.
A është e vërtetë që po zhvillon një lidhje pasionante me Noizy-n?
Ah Noizy, Noizy…! Sa shumë më pyesin për të! Ju pëlqen juve të dini shumë për këtë gjë. E kam kuptuar që ka kureshtje, se fansat e tij janë të shumtë. Dhe unë do t’jua them: ai është njeriu më i ëmbël që kam takuar, të dhuron dashuri pafund... Ai do të mbetet i veçantë për mua, sepse është një njeri me zemër të madhe dhe plot energji pozitive.
Si je njohur me Noizy-n?
Në një set fotografik të fotografit Armand Sallabanda. Ai më bëri ftesën për të qenë vajza që do të shoqëronte Noizy-n gjatë setit për një kopertinë reviste. Aty u njohëm, shkëmbyem kontaktet dhe adresat personale dhe miqësia vazhdoi që atë natë nëpërmjet ‘Facebook’-ut, sms në tel etj.
Sa kohë keni bashkë?
Kemi një vit që njihemi bashkë dhe besoj se kjo tregon shumë. Ndoshta ne jemi ndryshe nga sa kanë parashikuar të tjerët, që vënë baste për pamundësinë e lidhjes mes meje dhe Noizy-t.
Njihet natyra e Noizy-t, madje vetë ka deklaruar se me femrat sa shkon në shtrat. A je ti njëra prej tyre?
Kjo është ajo çka ata që nuk e njohin personalisht e perceptojnë përmes lajmeve, por në realitet ai është krejt ndryshe. Noizy e vlerëson në maksimum femrën, një gjë të tillë bën edhe me mua… Të bën të ndihesh si një Paris Hilton në Shqipëri… Vërtet, ka cilësi të një djali që rrjedh nga një familje me vlera dhe jo kështu siç thuhet. Ne s’kemi këtë lloj degradimi me njëri-tjetrin, kemi një raport për t’u pasur zili.
Thonë sakaq se ai zhvillon paralelisht disa lidhje; ti e di këtë?
Ju them diçka me shumë bindje: Noizy nuk bën pjesë tek këta meshkuj, dhe ju garantoj se media e ka hiperbolizuar shumë këtë pjesë negative, pasi kjo gjë nuk bën pjesë në karakterin apo traditën familjare të tij. Unë kam fatin t’i njoh familjarisht atë dhe miqtë e tij, dhe kurrë s’është parë dhe komentuar nga rrethi i ngushtë që Noizy të ketë kontakte apo shumë lidhje njëherësh. Kjo, ose është sajuar nga femra të ndryshme për të fituar vëmendje mediatike, ose për të hedhur baltë mbi figurën e tij. Por, më besoni, ndihem super e lumtur që jam përkrah tij.
Të ka treguar për historitë me femrat VIP? Për kë?
Po, më ka treguar për kontaktet me shumë emra VIP, por besoj për këtë është më mirë të pyesni vetë Noizy-n, sepse është çështje tejet personale që nuk ka lidhje drejtpërdrejt me mua. Megjithatë shumë personazhe femra, VIP apo jo, kanë zgjedhur të afeksionohen mbas tij, dhe, në një periudhë të karrierës së tyre kur s’kanë çfarë japin më, të qenit pranë tij u sjell përfitime dhe vëmendje maksimale… Kjo është e vërteta.
Sa herë ke fjetur me të?
Op, op… S’më pëlqejnë këto pyetjet me -16. Nuk dëshiroj të përgjigjem.
Si është Noizy në shtrat?
Më mungon sërish dëshira për përgjigje. Gjithsesi mund t’ju them që s’i ka dalë kot nami…
Çfarë nami i ka dalë?
Që është shumë i kujdesshëm në marrëdhënie me femrat.
Ku rrini zakonisht në hotel apo në shtëpinë e tij?
Jashtë shtëpisë, në ambiente të qeta, plazh, bar, club.
Dilni bashkë në publik, apo i keni të fshehta takimet?
Absolutisht që dalim bashkë, por takimet tona në publik janë shumë miqësore.
Je ti xheloze për të? Po ai për ty?
Unë ruaj respekt maksimal, lodhem ndonjëherë me shakatë dhe nervat e tepruara të tij. Është paksa kapriçoz, por… Nejse.
Të ka kushtuar ndonjë këngë deri tani?
Nuk më pëlqen kjo gjë, e rëndësishme është vëmendja në kohë.
Sa i rëndësishëm është sipas teje seksi në një marrëdhënie?
Aspak, para asaj që ka të bëjë me pastërtinë e ndjenjave pa kushte dhe rregulla.
Çfarë kërkon ti aktualisht? Çfarë dëshirash ke?
Dëshira ime e të qenit gjithmonë në skenë është realizimi i një prej dy shtyllave kryesore të karrierës sime, ndërsa pjesa tjetër e realizimit tim është profesioni. Dhe profesioni im do të formohet me një shkollim të mirë. Gjatë eksperiencës sime në ‘Miss Durrësi’, pata fatin të fitoj një bursë studimi të plotë nga Universiteti Europian i Tiranës. Zgjedhja ime është midis dy degëve shumë të përzemërta, ajo e Drejtësisë apo ajo e MPK (marrëdhënie publike dhe komunikim), pra do të vendos në momentin e fundit. Por, cilado të jetë zgjedhja në një kohë të afërt do të zgjedh ta bëj edhe tjetrën, për të kompletuar figurën time si person publik.
Si do ta vlerësoje eksperiencën në ‘Miss Durrësi’?
Eksperienca ime në ‘Miss Durrësi’, do të mbetet një ogur i mirë dhe një fillim i mbarë, që Daniela, atë çka dëshiron në jetë e arrin me patjetër. Unë pata fatin që me mbështetjen e një mikut tim, Leos dhe familjes sime, të jem pjesë e këtij spektakli. Fati bëri që unë të isha dhe fituese e ‘Miss Durrësit’. Megjithatë duhet t’ju bëj me dije se siguria dhe besimi tek vetja janë dy veçori që më karakterizojnë dhe nëse zgjedh të jem pjesë e një konkursi apo spektakli, gjithmonë sigurohem që përpara se të përfshihem të jap më të mirën dhe se lakmoj gjithmonë të jem 1-shi ose në të kundërt zgjedh të mos përfshihem. Dua të zgjedh të bëj në jetë, atë që di të bëj më mirë, dhe unë ashtu bëra. Zgjodha të jem pjesë e spektakleve të bukurisë, sepse besoj se jap më të mirën time aty. Se çfarë dua të arrij, ju ftoj të më ndiqni!
Hygerta Sako është durrsakja që ka arritur të jetë edhe “Miss Albania”. Ti si mendon, do e kesh këtë fat?
Edhe pse kur Hygerta Sako është kurorëzuar ‘Miss Albania’ kam qenë shumë e vogël, di të them se mundet që historia të përsëritet…. Pse jo?! Ç’më mungon për të mos qenë unë ‘Miss Albania’?! Megjithatë, duhet të pranojmë që është ende herët dhe deri në momentin e finalizimit të spektaklit të bukurisë së ‘Miss Albania’-s, duhet edhe shumë kohë deri në shtator… Por ju premtoj juve dhe të gjithë qytetarëve durrsakë, se do të shkëlqej në të gjitha elementet për të bërë një performancë të denjë…
Je e gatshme të bëhesh e famshme? Nëse po, si mendon ta arrish këtë?
Fama ime sapo ka filluar të kristalizohet, sepse e kam një kurorë në kokë, si ‘Miss Durrësi’. Eksperiencën me skenën e kam si modele. Dëshiroj shumë të jem së shpejti edhe në televizion. Profesionistët e ekranit më kanë quajtur si një figurë mjaft televizive, por edhe mjaft të komunikueshme me publikun. Gjithsesi, dua që fama ime të lidhet, jo vetëm me imazhin e të qenit një femër e bukur, por edhe e gatshme t’i përvishet çdo pune që do të më serviret brenda kuadrit të asaj që pranon skena dhe televizioni. Më vonë, them se emri im do të lidhet me Drejtësinë. Një gjyqtare Miss, si do ju dukej? Kjo dua të jem unë, pas 10 vitesh….
Në botën e showbiz-it jashtë bëjnë gjithçka për famën. Nga daljet nudo tek skandale me lidhje e shpeshherë ndarje. Ti çfarë do të bëje për famë?
Unë s’do bëja të tilla gjëra për të qenë e famshme. Kam përshtypjen se të tilla skandale janë të tepërta dhe nuk të japin famë, por emër të keq, në imazhin tënd si personazh publik, gjithsesi Daniela s’pranon të bjerë pre e të tillave skandaleve.
Sigurisht, kudo ka kompromise, kudo mund të bësh kompromis për të arritur apo për të bërë një punë të caktuar, por jo kompromise që shkelin dinjitetin dhe personalitetin e personit. Me dinjitetin e tjetrit nuk bëhet lojë, e aq më tepër famë.
Dua të them, ke menduar të thyesh ndonjë tabu, apo do të mbetesh në stilin thjesht të së bukurës?
Do bëj diçka ndryshe nga të gjitha misset që kemi parë. Unë shumë shpejt do të përfshihem në organizata dhe fondacione në mbrojtje të njerëzve dhe fëmijëve në nevojë, për të dhënë edhe unë kontributin për këtë shtresë njerëzish që presin shumë nga ne të tjerët. Do të jetë një iniciativë sa njerëzore, aq edhe shpërblyese, sepse tek e fundit ne do të mbahemi mend si njerëz për atë çka duam të japim tek të tjerët dhe jo për atë çka jemi.
Miss-et akuzohen se nuk janë inteligjente; a i keni ndjerë dhe ju këto paragjykime?
Unë mund të përgjigjem se ka plot vajza që argumentojnë të kundërtën; unë jam një prej atyre që ruaj një kombinim të të dyjave, një zgjuarsi normale për moshën që kam dhe një bukuri të mjaftueshme për të qenë miss.
Je një femër e bukur që merr shpesh komplimente. A ka pasur raste kur të kanë ofenduar?
Sigurisht që, të qenit person publik si miss, aq më tepër nga gjinia femërore do kesh rivalitet dhe thënie të pakëndshme. I bëjnë përshtypje përmasat e mia, gjatësia ime. Ka nga ata që e pëlqejnë që jam 1.85 cm, ka edhe shumë nga ata që mendojnë se është e tepërt kjo gjatësi, megjithatë e rëndësishme është që bëj efekt, zhurmë, kudo që jam… Kjo vlen!